Në shtëpinë e një njeriu të madh

01/06/2011 18:50

Naim Frashëri, Marie Kraja, Aleks Buda apo Selman Riza janë këto disa nga personalitetet e kinematografisë, artit, penës dhe muzikës shqiptare që për një kohë të gjatë i kanë dhuruar një pasuri të paçmueshme intelektuale çdo shqiptari.

Po sot, kur kujtimi për veprat e tyre vazhon të jetë ende në piedestal, çfarë ka ndodhur me ambientet ku ata kanë jetuar?

Të ruash një shtëpi dhe ta kthesh në muze është vetëm njëra anë e medaljes, por kur e le në dorë të të tjerëve, e vetmja gjë që mbetet është një pllakë e krisur në cepin e pallatit me mbishkrimin: “Këtu ka jetuar aktori Naim Frashëri”.

Marjana është një nga vajzat e pallatit, moshatare me fëmijët e aktorit. Ja çfarë na tregon ajo për vijimësinë e kësaj banese: “Familjarët kanë jetuar deri në vitin 1994. Më pas ata e shitën dhe nuk jetojnë më këtu. Banorët e mëvonshëm kanë qenë qiraxhinj, por sot nuk jeton më askush. Shtëpia është e mbyllur.”

Në ndryshim nga shtëpia e aktorit, familjarët e Aleks Budës kanë zgjedhur që të mos e lenë në harresë, por t’i japin me qera ambientet e shtëpisë së babait apo vëllait të tyre që sot është kthyer në një lokal.

“Ky ambient vazhdon të jetë pronë e familjarëve, por unë kur e kam kthyer në lokal jam munduar që të ruaj disa elementë të vjetër. Dhe njerëzit kanë shumë dëshirë të vijnë këtu dhe shpesh me shaka thonë, po shkojmë të pimë kafe te Buda”, shprehet Adi.

Ka disa vite që Adi e ka si “shtëpi të dytë” shtëpinë e historianit dhe ja çfarë na tregon për gjërat që i kanë bërë më shumë përshtypje përpara se ta shndërronte në një ambient privat: “Gjëja që më ka bërë më shumë përshtypje ka qenë biblioteka. Aty ka pasur plot libra, i kam parë vetë në 3-4gjuhë: rusisht, frengjisht, gjermanisht. Nipi i Aleksit i shpërndau disa në shkollë dhe disa të tjerë në Bibliotekën Ndërkombëtare.”

Një ambient i tillë të bën të ndihesh i veçantë dhe veçanërisht kur zhvillon një aktivitet privat. Adi ka një dëshirë: “Ky është një ambient i mirë, në qendër të Tiranës, e kush nuk do të donte ta kishte pronë të tijën. Duhet që ose ta bësh muze, ose ta bësh lokal, se duke jetuar familjarët, askush nuk ka mundësinë që ta vizitojë.”

Megjithatë ka edhe raste kur familjarët tregohen fanatikë për të ruajtur tradicionalen dhe vazhdojnë të jetojnë vetë në shtëpitë e të parëve të tyre aspak anonim. Siç janë familjarët e Marie Krajës apo Selman Rizës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA