Paralajmërimet nga vendet e Bashkimit Europian për mundësinë e kthimit të regjimit të vizave për disa vende të Ballkanit për shkak të numrit të madh të azilkërkuesve, kanë alarmuar autoritetet në Shkup.

Ministrja e brendshme, Gordana Jankullovska, dhe zv/kryeministri për eurointegrime, Vasko Naumovski, kanë paralajmëruar përforcimin e kontrolleve në vendkalimet kufitare dhe sanksione për personat që keqpërdorimin liberalizimin e vizave.

Jozyrtarisht mësohet se po shqyrtohet mundësia që personave të cilët shkelin rregullat e Shengenit tu merren pasaportat.

“Kemi vendosur që Ministria e Drejtësisë të bëjë përgatitje për ndryshime në kodin penal në drejtim të parashikimit të një vepre të re penale lidhur me organizimin e migrimit jolegal. Kjo vepër penale do të përfshijë të gjithë ata që organizojnë migrimin jolegal, qytetarët e Maqedonisë por edhe ata që kalojnë përmes Maqedonisë si shtet transit”, u shpreh Naumovski.

“Maqedonia do të shfrytëzojë të gjitha mekanizmat, mjetet dhe resurset që ka në dispozicion për t’i sanksionuar të gjitha rastet. Sanksionimin e individëve por edhe personave juridikë të cilët rrezikojnë liberalizimin e vizave, më saktë e keqpërdorin atë”, theksoi Jankullovska.

Sipas infromacioneve të MPB-së, asnjë shtetas i Maqedonisë nuk ka arritur që të përfitojë të drejtën e azilit në vendet e BE-së, ndërsa thuhet se edhe ata që janë në procedurë pritet të refuzohen.

Komisioni Europian do të shqyrtojë më 24 maj propozimin për kthimin e vizave për Maqedoninë, kurse vendimi përfundimtar do të merret nga ministrat e brendshëm të BE-së më 12 qershor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA