Roma “shpëton” nga profecia

12/05/2011 20:30

25 tërmete goditën Italinë të mërkurën, por asnjeri nuk ishte i fortë, e aq më pak shkatërrues, siç u profetizua për Romën.

Thashethemet në rrjetet sociale FB dhe Twitter linin të kuptohej se Koloseumi dhe Bazilika e Shën Pjetrit do të ktheheshin në një pirg gërmadhash deri në mesnatë. Kjo nuk ndodhi dhe banorët e kryeqytetit italian duhet të flenë të qetë. E megjithatë, një pjesë akoma janë të shqetësuar, sidomos pas tërmetit në Spanjë.

Psikoza e frikës përfshiu gati 20% të romanëve që të mërkurën nuk shkuan në punë. Institucionet në mënyrë të vazhdueshme kishin bërë thirrje për qetësi dhe për arsyetim. Në fakt, ekspertët sizmiologë insistonin se profecia e atribuar Rafaele Bendandit, parashikues i suksesshem i disa tërmetëve, nuk kishte asnjë bazë shkencore.

Edhe kryetarja e organizatës së ngritur në nder të Bendandit, Paola Lagorio, e cila ka arkivuar të gjitha dorëshkrimet e tij, pretendon se në asnjë vend nuk përmendet një tërmet në Romë. Por përsëri frika nuk është fashitur krejtësisht. Ata më supersticiozët theksojnë se parashikimet e Bernandit lëviznin me një apo dy ditë, arsye për të cilën duhet qëndruar larg kryeqytetit edhe për pak kohë.

Shqetësimin e tyre e ushqyen akoma më shumë lëkundjet e tokës në Lorca. Disave nuk u duket aspak rastësi që qyteti spanjoll u godit pikërisht në kohën kur pritej një tërmet në Romë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA