Shefi i ekipit serb në bisedimet me Kosovën, Borisllav Stefanovic nuk duhet të vijë në Kosovë, të paktën në këtë kohë, përderisa Serbia nuk e njeh shtetin e ri.

Ky është pak a shumë qëndrimi i përbashkët i tri subjekteve politike opozitare, që janë të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës.

Sipas opozitarëve, vizita e Stefanovic në Kosovë është marketing i politikës serbe për interesat e saj, të cilës po i jep mundësi qeveria e Kosovës.

Ata janë shprehur se me vizitën e tij, Stefanovic e Serbia po bëjnë fushatë për mosnjohjen e Kosovës. Madje, ata e fajësojnë qeverinë për nënçminin që ajo po i bën popullit të vet.

“Ky është një marketing politik i Serbisë dhe nuk do të dëshironim që qeveria e Kosovës të bjerë në grackën e tij”, ka deklaruar Ismet Beqiri nga radhët e LDK-së.

“Kemi të bëjmë me një zyrtar, i cili mbron qëndrimet politike të Serbisë. Serbia neve jo vetëm që nuk na njeh, por ajo për më tepër na lufton duke mos i zgjedhur veprimet dhe mjetet”, ka thënë pas tij Glauk Konjufca i Vetëvendosjes.

“Ajo që ne mendojmë është se niveli i pritjes, niveli i takimeve, axhenda e takimeve nuk po përfaqëson sovranitetin e Kosovës. Pra, qeveria e Kosovës po dështon që ta përfaqësojë sovranitetin tonë. Qeveria po e nënçmon popullin e Kosovës, shtetin e Kosovës”, ka thënë më tej Ardian Gjini nga AAK.

Por, pavarësisht kësaj, zyrtarët qeveritarë nuk e shohin si problem vizitën e zotit Stefanovic. Madje, Edita Tahiri është shprehur paraditen e së enjtes se Stefanovic është i vetëdijshëm se po vjen në një shtet të pavarur dhe sovran.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA