
Lideri i grupit opozitar në Libi do të takohet ditën e premte në Uashington me autoritete dhe anëtarë të Kongresit amerikan.
Lajmin e ka bërë të ditur Shtëpia e Bardhë. Mahmoud Jibril, president i Këshillit të Tranzicionit Kombëtar, do të takohet me këshilltarin për sigurinë kombëtare, Tom Donilon.
Rebelët në Libi po luftojnë kundër regjimit të Muammar Gaddafi-t që prej muajit shkurt, të mbështetur nga NATO që po godet forcat e kolonelit.
Jibril ka hartuar një seri planesh për periudhën post-Gaddafi, përfshirë krijimin e një qeverie të përkohshme që do të marrë kontrollin dhe do të ruajë rendin në vend.
Qeveria e përkohshme do të ketë në radhët e saj anëtarë të Këshillit Tranzitor, teknokratë të regjimit të Gaddafi-t, oficerë të ushtrisë dhe shërbimeve sekrete, si dhe një gjyqtar të Gjykatës Supreme.
Top Channel