FMN paralajmëron për krizë

12/05/2011 21:00

Fondi Monetar Ndërkombëtar paralajmëron nga rreziku i një infektimi të vendeve të tjera të Eurozones, duke parashikuar pas Greqisë rrezik për Irlanden, Portugalinë, por edhe për vende si Italia dhe Belgjika.

Vendet me probleme të borxhit duhet të ndërmarrin reforma të rrepta për të parandaluar përhapjen e krizës, deklaron FMN.

Organizata globale për stabilitetin financiar i kërkoi edhe Bankës Qendrore Europiane të mos rrisë më normat e interesit.

Vendeve anëtare të bllokut nga ana tjetër, i bëhet thirrje të forcojnë bankat që kanë nevojë për më shumë likuiditet, për të shmangur një tjetër krizë.

Kreu i FMN-së për Europën ka përmendur sakaq edhe mundësinë e një ndihme të re për Greqinë, që sigurisht do të vijë me kushte.

“Në këtë pikë mendojmë se Greqia duhet të lëvizë në drejtimin e duhur, drejt një pozicioni ku borxhi të jetë i mbështetur financiarisht. Për momentin nuk nevojitet një ristrukturim i tij”, ka deklaruar Antonio Borges.

Këshilla e Borges për Greqinë ishte të tentojë të shesë më shumë asete shtetërore. Zyrtarë nga Bashkimi Europian, Banka Qendrore Europiane dhe FMN-ja nisën një ditë më parë vlerësimin e tyre të katërt të gjendjes së ekonomisë greke.

Rishikimi duhet kryer përpara muajit qershor, kur Greqisë është planifikuar t’i dorëzohet ndihma prej 12 miliardë eurosh.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA