SHBA, rebelohet sërish Missisipi

10/05/2011 20:25

Qyteti jugor amerikan i Memfisit po përballet me përmbytjet më të mëdha që prej vitit 1930, që kanë detyruar evakuimin e të paktën 1300 banesave.

Shkak është bërë dalja nga shtrati i lumit Misisipi, ujrat e të cilit kërcënojnë tashmë edhe Tenesinë.

Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të largohen nga lagjet e ulëta, më të rrezikuarat në qytet, ndonëse shprehin besimin se digat do të arrijnë të parandalojnë dëmet e mëtejshme.

Në disa vende lumi ka arritur një gjerësi prej pesë kilometrash, ose tre herë më shumë se shtrirja e zakonshme, ndërsa mbrëmjen e së hënës, ujrat e tij mbërritën nivelin e 14,6 metrave, që do të thotë 4 metra mbi normalen.

Sistemi i digave konsiderohet solid, por specialistët e ushtrisë i druhen faktit që niveli i ujit po rritet shumë më shpejt nga sa ishte menduar.

Zyrtarët në Luiziane kanë filluar evakuimin e personave që vuajnë dënimin në njërin prej burgjeve më të rrepta në të gjithë shtetet e bashkuara, Louisiana State Penitentiary dhe ka hapur portat e shkarkimit për të lehtësuar presionin e argjinaturave pranë New Orleans-it.

Arsyet e rritjes se frikshme të nivelit të Misisipit, janë shkrirja e dëborës dhe reshjet e dendura të shiut të regjistruara muajin e kaluar.

Përmbytjet kanë prekur deri tani 8 shtete amerikane.

Frika nga vërshimi i ujrave nuk ka të bëjë vetëm me qytetet, por edhe me tre centrale bërthamore në zonë, që sipas disa mediave lokale, mund të mbyllen për arsye sigurie.

Top Channel