Al Kaeda, organizata e drejtuar deri para pak ditësh nga Osama bin Laden, mund të ketë hedhur rrënjët e celulave të saj në dhjetra vende të botës.
Por, zonat kryesore ku vepron ajo dhe anëtarët e saj detajohen si më poshtë:
Afganistani dhe Pakistani – Al Kaeda u ngrit fillimisht në Peshauar në vitin 1988 dhe zonat tribale mes Afganistanit dhe Pakistanit njihen si bastionet e saj. Zona kufitare dyshohet gjithashtu se mban kampe stërvitjeje për terroristët, edhe pse CIA thotë se avionët amerikanë i kanë dhënë një goditje domethënëse talebanëve këtu.
Gadishulli Arab – Al Kaeda në Gadishullin Arab mbulon Arabinë Saudite dhe Jemenin dhe u shfaq në vitin 2009 kur grupet militante nga të dyja vendet bashkuan forcat. Synimet kryesore të grupit janë të rrëzojë qeveritë e Arabisë Saudite dhe Jemenit, si dhe largimi i influencës së Perëndimit nga Gjiri.
Afrika Lindore – Al Kaeda prej kohësh është e pranishme në Afrikën Lindore, skenë e sulmeve ndaj ambasadave amerikane në Nairobi të Kenias dhe në Dar es Salam të Tanzanisë. Sulmet e gushtit të vitit 1988 u kryen nga luftëtarë nga Egjipti, Sudani, Kenia, Tanzania dhe Arabia Saudite. Disa prej tyre ishin stërvitur në Somali, ku dhe u strehuan pas sulmeve.
Azia e Paqësorit – Në këtë rajon, dy grupe që mendohet se kanë lidhje me Al Kaedën i kanë bazat e tyre në Indonezi dhe Filipine. Grupi Jemah Islamiah, me bazë në Indonezi, dyshohet se ka qenë përgjegjës për sulmet në klubet e natës në Bali në vitin 2002, ku mbetën të vrarë 200 persona.
Evropa – Prania e Al Kaedës në Evropë nuk është e strukturuar si në vendet e tjera. Agjencitë e anti-terrorit i përshkruajnë militantët si të frymëzuar nga Al Kaeda, por jo gjithmonë të udhëhequr prej saj.
Iraku – Al Kaeda në Irak u formua në vitin 2004, një vit pas pushtimit amerikan, kur militanti jordanez Abu Musab al Zarqawi shpalli aleancën me Osama bin Laden. Organizata njihet ndryshe si Al Kaeda në Mesopotami.
Afrika e Veriut – Në këtë rajon Al Kaeda mund të jetë më shumë aktive në Algjeri, por i ka shtrirë degët e saj përtej Shkretëtirës së Saharasë, në Mali dhe Niger, ku ka marrë peng shumë shtetas evropianë, një pjesë e të cilëve janë vrarë. Tunizia, Maroku dhe Mauritania kanë luftuar grupet islamike të frymëzuara nga Al Kaeda.
Top Channel