Incident diplomatik midis Suedisë dhe Greqisë ka shkaktuar deklarata e atasheut tregtar në ambasadën greke të Stokholmit, i cili ka akuzuar turistet suedeze se kur vijnë në Greqi për pushime, joshin të tjerët e më pas deklarojnë se bien viktima të përdhunimeve për të marrë dëmshpërblim.

Shkak i deklaratës ka qenë një e-mail që i ka dërguar një qytetar suedez trupës diplomatike të kësaj ambasade, me anë të cilit protestonte se drejtësia greke nuk kishte dënuar një banor vendas të ishullit Samo pas denoncimit të një turisteje suedeze se ishte përdhunuar prej tij në verën e vitit 2009, kur ndodhej atje me pushime. Me ironi, diplomati grek i është përgjigjur përsëri me e-mail se vajzat suedeze duhet të kenë turp për mënyrën se si sillen jashtë shtetit.

Cështja ka marrë përmasa serioze në shtetin verior të Europës duke kërcënuar lëvizjen turistike drejt Greqisë, përderisa gazeta e dytë më e madhe e vendit «Svenska Dagbladet», u bën thirrje suedezëve me shkrime të vazhdueshme të bojkotojnë Greqinë dhe të zgjedhin një vend tjetër për pushimet e tyre.

Sipas operatorit më të madh turistik në vend, vihet re një reduktim gati 50% i rezervimeve në Greqi pas publikimit të këtij lajmi disa ditë më parë në shtypin suedez, ndërsa sidomos në ishullin Samos ku ka ndodhur përdhunimi, janë anuluar dhjetra rezervime.

Në një përpjekje për të qetësuar gjendjen, Ministria e Jashtme greke ka tërhequr menjëherë atasheun e saj tregtar në Suedi, ndërsa ambasadorja greke atje ka deklaruar se personi në fjalë ka shprehur mendimin e tij personal, ndërsa Greqia është dhe ngelet nga vendet më mikpritëse në botë.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA