Qeveria e Kosovës përgatitet për ta paditur Serbinë për krimet e luftës të kryera në Kosovë. Fillimisht ekzekutivi kosovar, me një vendim qeveritar do të themelojë Institutin për hulumtimin e krimeve të luftës. (UPDATE)
Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuci theksoi se ky institut ka për qëllim të hulumtojë të gjitha ngjarjet që nga viti 1990-1999.
Jashtë punës së institutit kanë mbetur ngjarjet e vitit 2000-2001, kur në pjesën veriore të Mitrovicës u vranë 11 shqiptarë dhe u dëbuan qindra familje.
“Në Kosovë kanë ndodhur krime luftë në vitet 1990-99 dhe ato duhet të evidentohen. Ky është qëllimi ynë, që në mënyrë profesionale dhe në kuptimin juridik, politik, historik e ushtarak të pasqyrojmë atë që ka ndodhur në këtë periudhë”, deklaroi Kuci.
Ashtu sic pritej, kabineti qeveritar u shtua me një anëtar. Behgjet Pacolli nga ana e tij premtoi bashkëpunim të plotë, por pati një pyetje për kryeministrin Thaci.
“Ndoshta një pyetje është me vend, a do të aplikohet pagesa për autostradën e ardhshme në Kosovë apo jo”, pyeti Pacolli.
“Meqenëse ministri ka filluar punën para dy muajsh dhe zëvendëskryeministri sot, sa i përket pagesës do diskutohet në hapat e mëtejshëm”, u përgjigj kryeministri Thaci.
Në këtë mbledhje, ekzekutivi kosovar mori vendim për aplikimin e taksës së akcizës për lojërat e fatit.
“Kazinotë, 5 mijë euro në muaj, ambjentet e tjera me slot-machine 500 euro në muaj. Bingot dhe lokalet e mbyllura 100 euro për cdo muaj dhe llotaritë 16% të vlerës së biletave të shitura”, sqaroi Bedri Hamzai, ministër i Ekonomisë dhe Financave.
Numri i lojrave të fatit, të cilat varësisht nga lloji i aparateve elektronike dallojnë nga njëra-tjetra, është rritur kohëve të fundit.
Ato funksionojnë në atë mënyrë që një kompani pajiset me licencën për sjelljen e aparateve elektronike, të cilat pastaj i jep me qera tek bizneset e tjera me të cilat e ndajnë fitimin për gjysmë.
Këto lokale, të cilat gjatë ditës janë të zbrazëta, mund t’i gjesh në cdo cep të Prishtinës dhe në të gjitha qendrat e tjera.
Disa punonjës të tyre, që nuk flasin para kamerës, tregojnë se qarkullimi mujor jo rrallë here arrin në 70 mijë euro. Megjithëatë, taksa e qeverisë është e lartë dhe mund t’i mbyllë gjysmën prej tyre.
Top Channel