Ndryshimi i Kushtetutës së Kosovës, përveç që duhet të marrë miratimin e Kuvendit, sipas Kushtetutës po ashtu edhe shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, si mbikëqyrës i pavarësisë së Kosovës, mund të kthejë prapa ndryshimet, ose t’u japë atyre dritën e gjelbër.
Ndonëse është mandatuar nga Kuvendi që komisioni për ndryshimin e Kushtetutës të merret vetëm me ndryshimin e mënyrës së zgjedhjes së presidentit, tashmë po mësohet se nuk do të jetë vetëm kjo çështja për të cilën do të punojnë.
Synimi është që institucionet e Kosovës të marrin kompetencat ekzekutive nga Zyra Civile Ndërkombëtare, që momentalisht drejtohet nga Piter Feith dhe misioni europian EULEX.
Por, çështja është: a do të marrin dritën e gjelbër nga Zyra Civile Ndërkombëtare, dhe cfarë ndodh në rast të kundert?
“Kushtetuta thotë se plani i Ahtisarit është mbi institucionet dhe kjo është një dispozitë unike. Dispozita 147 thotë se fjala e fundit është e përfaqësuesit të ICO-së. Këto pengojnë sovranizimin e plotë të institucioneve tona dhe vendit”, deklaron profesor Mazllum Baraliu, njohës i mirë i Kushtetutës.
Por, profesor Baraliu shprehet optimist se ndryshimet e përmendura do të pranohen, dhe se sipas tij ka ardhur koha që kjo të ndodhë.
“Për arsye se plani i Ahtisarit është ideuar që 3 vjet të jenë një sprovë për të parë si zbatohet plani i tij, që ka shkuar mirë, unë mendoj se institucionet e Kosovës mund t’i bartin përgjegjësitë”, nënvizon Baraliu.
Kosova e shpalli pavarësinë në shkurtin e vitit 2008, pas një raundi negociatash të cilat u drejtuan nga Marti Ahtisari dhe pasi kishte pranuar propozimin e tij për pavarësi të mbikëqyrur për një periudhë 3-vjeçare.
Top Channel