Kuvendi i Kosovës ka miratuar krijimin e komisioneve parlamentare për  të ndryshuar në Kushtetutë mënyrën e zgjedhjes së presidentit dhe ligjin për zgjedhjet.

Me 76 vota pro, 6 kundër dhe 4 abstenime deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan ngritjen e dy komisioneve parlamentare, një për ndryshimin e mënyrës së zgjedhjes së presidentit dhe tjetri për ndryshimin e kodit zgjedhor.

Formimi i komisioneve është produkt i marrëveshjes politike mes Thacit, Pacollit dhe Mustafës që i dha fund krizës politike në Kosovë.

Thaci është shprehur ditë më parë se ndryshimet do të përshpejtojnë edhe fazën e përmbylljes së mbikqyrjes së pavarësisë së Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje mbështeti ngritjen e këtyre komisioneve, por kërkoi që të bëhet më shumë se sa zgjedhja e presidentit drejpërdrejt nga populli.

“Ndryshimet që i nevojiten Kushtetutës së Kosovës janë ndryshime thelbësore që e shndërrojnë në një kushtetutë të një shteti sovran, në aktin më të lartë juridik të vendit, prej vitesh si të gjitha dokumentet e tjera”, tha në fjalën e tij kryetari i grupit parlamentar të VV, Visar Ymeri.

Të premten është zgjedhur edhe Guvernatoi i ri i Bankës Qendore të Kosoves, për emrin e të cilit kanë dhënë pëlqimin edhe ndërkombëtarët.   

Top Channel