
Numri i viktimave të stuhive të fuqishme dhe tornadove të përplasura mbi jugun e Shteteve të Bashkuara, ka mbërritur në 45.
Për tre ditë rresht, rajoni është gjendur nën furinë e motit, që ka lënë pas një vazhdë të frikshëm shkatërrimesh.
Nga Oklahoma deri në Virxhinia, vazhdojnë kërkimet për të mbijetuar, ndërsa në Karolinën e Veriut, shteti që regjistroi 62 tornado, numri më i lartë atje prej dekadash të tëra, ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme.
Karolina e Veriut pati dhe numrin më të madh të vdekjeve, 21.
Por zyrtarët druhen se bilanci mund të rëndohet akoma më shumë, duke qenë se ekipet e kërkim-shpëtimit nuk kanë mbërritur ende në zonat e thella.
Stuhitë sollën me vete përmbytje të befasishme, si dhe breshër që mbërrinte përmasat e një portokalli.
Oklahoma ishte e para që u godit prej tyre.
Pas kësaj, sistemi i rebeshëve nisi të lëvizte drejt lindjes.
Përgjatë tre ditësh, 240 tornado goditën rajonin, duke shkulur disa shtëpi nga themelet e duke shkatërruar plot të tjera.
Dhjetëra mijëra banesa kanë mbetur pa energji elektrike.
Sezoni i tornadove në Shtetet e Bashkuara nis nga muaji mars deri në prill, e ndonëse ishin deri diku të përgatitur për të, autoritetet thonë se ky sistem stuhish ka qenë më i fuqishëm se shumë të tjerë.
Top Channel