Operacionet ushtarake në Libi

18/04/2011 13:45

David Cameron nuk përjashton mundësinë e dërgimit të trupave tokësore britanike në Libi, ndërsa deklaroi se vendi i tij është i gatshëm të bëjë më shumë për të ndihmuar rebelët që po përpiqen të rrëzojnë Muamar Gaddafin.

Kryeministri britanik këmbënguli të sqarojë se “nuk bëhet fjalë për një pushtim”.

Por Londra është gjithmonë e më e shqetësuar nga situata në Libi, e sidomos kriza e skajshme humanitare në perëndim të shtetit afrikan.

Për këtë arsye dhe po përgatitet për një raund bisedimesh urgjente në OKB.

Shpërthimet e epidemive nga uji i ndotur janë një nga rreziqet kryesore me të cilat përballet popullata në zonë.

Pas më shumë se katër javë bombardimesh ajrore të NATO-s, regjimi i kolonel Gaddafit vazhdon të mbijetojë dhe kryengritësit që kërkojnë përmbysjen e tij, shumë pak kanë përparuar drejt Tripolit.

Sulmi i besnikëve të liderit libian mbi qytetin e Misratës, ku të dielën u vranë edhe 6 civilë të tjerë, ka shtuar presionin mbi liderët perëndimorë për të intensifikuar ndërhyrjen e tyre.

“Duhet të pyesim veten çfarë mund të bëjmë më shumë për të mbrojtur jetët e civilëve e për të ndaluar makinerinë e luftës së Gedafit të lëshojë një ferr të tillë mbi njerëzit e vet. Po shohim gjithë çfarë po ndodh atje dhe çfarë ne mund të bëjmë më shumë”, tha Cameron.

Qindra civilë janë larguar ditët e fundit nga Misrata, qyteti kryesor në perëndim të vendit që kontrollohet nga rebelët.

Një ditë më parë, rreth 100 plagosur u larguan prej andej dhe u dërguan në Tunizi me një anije të organizatës humanitare “Medecins Sans Frontieres”.

Që nga fundi i shkurtit, kur filloi rrethimi i Misratës, 300 civilë besohet të jenë vrarë e mbi 1 mijë të tjerë janë plagosur.

Forcat qeveritare kanë përdorur atje edhe artilerinë e rëndë dhe snajperët, por zëdhënësi i Gedafit në Tripoli, Mussa Ibrahim, mohoi njoftimet se gjatë mësymjes janë hedhur edhe bomba thërrmuese, të ndaluara nga konventa e Dublinit në maj të 2008-s.

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - Bileta