Assad heq gjendjen e jashtëzakonshme

16/04/2011 20:50

Presidenti i Sirisë, Bashar Al Asad tha se ligji i gjendjes së jashtëzakonshme do të hiqet javën e ardhshme, pas protestave që kanë përfshirë vendin.

Ai e bëri këtë deklaratë gjatë mbledhjes së qeverisë së re, e transmetuar në televizionin shtetëror.

Heqja e gjendjes së jashtëzakonshme, në fuqi prej 48 vjetësh, është një prej kërkesave kryesore të protestuesve.

Të premten dhjetëra mijëra vetë protestuan në Damask, duke shënuar një prej protestave më të mëdha në vend.

Asad përsëriti idenë e tij se vendi po përballet me një komplot, por nënvizoi se heqja e gjendjes së jashtëzakonshme nuk do të destablizojë vendin.

Ai i tha qeverisë se, komisioni i ngritur për të shqyrtuar heqjen e gjendjes së jashtëzakonshme tashmë kishte nxjerrë konkluzionet e tij.

“Komisioni përfundoi punën të enjten. Rekomandimet do t’i dorëzohen qeverisë dhe do të kthehen menjëherë në ligj. Nuk e di sa ditë do të duhen, por mendoj se afati maksimal do të jetë java e ardhshme”, deklaroi Asad.

Presidenti i Sirisë tha se ekzekutivi i ri duhet të shqyrtojë idetë për një sistem shumëpartiak dhe liri më të mëdha për median.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA