
Presidenti i Algjerisë, Abdelaziz Bouteflika, i cili udhëheq vendin prej 12 vitesh, u shfaq gjatë mbrëmjes në një fjalim televiziv, në të cilin premtoi reforma kushtetuese, në mënyrë që të forcohet demokracia në vend.
Në fjalimin e shumëpritur, ai shpalli ngritjen e një komisioni ekspertësh, për të ndryshuar ligjin themeltar të shtetit, në mënyrë që të lejojë një funksionim sa më demokratik në vendin afrikano-verior.
Kjo është hera e parë që Bouteflika i adresohet vendit që prej tre muajsh. Disa protesta shpërthyen në janar, të ndikuara nga revoltat në botën arabe, por zemërimi është mundur të përmbahet prej autoriteteve.
Nën trysninë popullore, presidenti 74-vjeçar vendosi heqjen e gjendjes së jashtëzakonshme, në fuqi prej 19 vitesh.
Pakënaqësitë në Algjeri ushqehen kryesisht nga përkeqësimi i standartit të jetesës dhe rritja e çmimeve për ushqimet.
Top Channel