
Forcat ajrore britanike kanë bombarduar 6 automjete të blinduara të ushtrisë libike në afërsi të Misratës dhe Sirtes.
Lajmin e ka bërë të ditur për mediat ndërkombëtare ministri i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar.
Ndërkohë, 5 ditë nga kalimi i misionit “Odissey Down” në “Operation Unified Protector” të NATO-s, aleatët kanë përforcuar zonën e ndalim-fluturimit.
“Ato kanë lëvizur me vendosmëri për të mbrojtur popullsinë civile në Libi”, ka deklaruar kundëradmirali Russ Harding, nënkomandant i operacionit të NATO-s.
Ndërkohë, rebelët libikë kanë dërguar përforcime dhe municione në qytetet Marsa dhe Brega, ku prej shumë ditësh fronti bën para dhe mbrapa nga Brega drejt Axhdabijas.
Njësoj paraqitet situata edhe për Ras Lanufin, ku asnjë nga palët nuk arrin të fitojë epërsi ndaj tjetrës.
Trupat e kolonelit kanë bombarduar një impiant nafte në Oxhla, në jug të Axhdabijas, fortesa e fundit e rebelëve para Bengazit.
Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, bombardime dhe sulme janë kryer edhe në rrugën që të con në Misrata.
Top Channel