Kryetarit të komunës së Suharekës, Blerim Kuçit i janë caktuar 30 ditë paraburgim nga gjyqtari i EULEX-it, Ferdinando de Monguot, për shkak që siç deklarohet ka refuzuar që të dëshmojë në një çështje tjetër hetimore. (UPDATE)

Kuçi është sjellë në Gjykatën e Qarkut në ora 12 të së martës me kërkesë të prokurorit të EULEX-it, ku është paraqitur para gjykatësit të proçedurës paraprake, për dy orë rresht.

Jo zyrtarisht merret vesh se z.Kuçi i cili është edhe sekretar organizativ i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka refuzuar të japë dëshmi në çështjen e Fatmir Limajt, ndaj të cilit EULEX-i ka ngritur dyshime për krime lufte.

Po sipas këtyre burimeve jo zyrtare Blerim Kuçi përmendej si një nga viktimat që ishte mbajtur në Kleçkë.

Në aktvendimin e Gjykatës thuhet se: “Dëshmitari nuk ishte në gjendje për të paraqitur arsye ligjore përse nuk i përgjigjet pyetjeve të Prokurorit duke e kushtëzuar veten në deklarimin e tij të përgjithshëm që ai nuk dëshiron që përmes përgjigjeve të tij të rrezikojë apo të përfshijë persona që ai i konsideron të pafajshëm në këtë proçedurë penale që ka si objekt Historinë e Re të Kosovës”, thuhet në aktvendim.

Misioni evropian në Kosovë ka mohuar se z.Kuçi është arrestuar, ndërsa nuk kanë dhënë informacione se për cilin rast nën hetime bëhet fjalë.

Zyrtarisht krejt çka është thënë nga zyrtarë të EULEX-it është se z. Kuçi ka refuzuar në mënyrë të përsëritur për të dhënë dëshmi gjatë një hetimi, gjë që i është kërkuar disa herë nga Prokurori.

Sipas zyrës për informim të EULEX-it në rast se ai pranon të japë dëshmi mund të lirohet.

“Blerim Kuçit i është dhënë rasti për të dhënë dëshminë, e cila është kërkuar disa herë nga prokurori, që do të thotë se ai është dëshmitar e një çështjeje kriminale të udhëhequr nga Prokuroria Speciale e Kosovës dhe disa herë ka refuzuar të dëshmojë. Gjithashtu është gjobitur me 250 euro për mosdhënien e dëshmisë, pasi që ai i di të gjitha përgjigjet. Kodi Penal i Kosovës e parashikon gjobitjen e personit që di përgjigjet apo burgosjen e tij/asaj për një muaj, apo deri në momentin kur është i gatshëm të japë dëshminë, dhe kjo është ajo që ka ndodhur sot me Kuçin”, është shprehur Kristina Herodes, zëdhënëse e EULEX-it.

Në anën tjetër i menjëhershëm ka qenë reagimi i partisë së Blerim Kuçit, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, nëpërmjet nënkryetarit të saj, Ahmet Isufi.

“AAK fton EULEX-in që t’i përmbahet prioriteteve të veta për sundimin e ligjit në Kosovë dhe që të mos prekë në luftën e drejtë të shqiptarëve të Kosovës për liri, demokraci dhe pavarësi… AAK mbështet dhe respekton qëndrimin e z.Blerim Kuçi në mbrojtje të vlerës së luftës çlirimtare në Kosovë”, theksoi Ahmet Isufi, nënkryetari i AAK-së.

Sidoqoftë, në aktvendimin e Gjykatës së Qarkut në Prishtinë tregohet po ashtu se z. Kuçi është marrë në pyetje disa herë nga Prokurori, gjatë muajit tetor dhe dhjetor të 2010-s, por ai vazhdimisht ka refuzuar t’u përgjigjet pyetjeve të shtruara.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA