
Një “Boeing 737” u detyrua të bënte një ulje emergjence më parë gjatë mëngjesit, pasi një vrimë u krijua në mënyrë të papritur në çatinë e aeroplanit, kur ishte duke fluturuar 10 mijë metra mbi tokë.
Ky ishte fluturimi “Southwest Airlines”, i drejtuar nga Feniks në Sakramento, në SHBA. Ai u detyrua të kryente një ulje të improvizuar në një pistë ushtarake në Arizona.
Dëshmitarët treguan për “Associated Press” se nga vrima mund të shikoje të gjithë qiellin, ndërsa pasagjerët u përballën me një tmerr të vërtetë, pasi erëra me shpejtësinë e një uragani dhe temperatura -50 gradë celcius i goditën papritmas.
Për fat të mirë, asnjë njeri nuk mbeti i vrarë në këtë incident, por disa janë dërguar në spital për të marrë trajtimin për plagë të lehta.
Nuk është e qartë se çfarë shkaktoi vrimën në trupin e aeroplanit, por një zëdhënës i FBI-së deklaroi se terrorizmi është përjashtuar, pasi të gjithë të dhënat të çojnë tek një problem mekanik.
”Pak pasi ishim nisur nga Feniksi dëgjova një zhurmë, si një krismë arme. Një rrymë ajri na përplasi menjëherë, ndërsa pjesa e sipërme në qendër të avionit nuk ishte më. Mund të shikoje qiellin. Jemi ende të terrorizuar”, deklaroi Brenda Reese, një e mbijetuar.
Avioni u ul me shpejtësi, ndërsa pasagjerët u detyruan të merrnin ajër nëpërmjet maskave të tyre të sigurisë. 118 persona ishin në bordin e avionit të aksidentuar.
Top Channel