
Brishtësia e një koalicioni të paqëndrueshëm dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese ndaj z.Behgjet Pacolli mund të çojë Kosovën sërish drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
Aleanca Kosova e Re pas konsultave brenda partisë dhe partnerët e koalicionit po shqyrton mundësinë e shkëputjes së koalicionit qeverisës me Partinë Demokratike të udhëhequr nga kryeministri Hashim Thaçi.
Pas njoftimeve se Aleanca për Kosovën e Re po rishikon marrëveshjen e koalicionit me Partinë Demokratike, kryeparlamentari Jakup Krasniqi deklaroi se, në Kosovë është krijuar një realitet i ri.
Sipas Krasniqit, kjo situatë kërkon që të gjitha partitë politike të gjejnë një zgjidhje urgjente. Por, ai thotë në këtë kohë duhet mënjanuar futja sërish në zgjedhje.
“Ne e dimë që është krijuar një realitet i ri dhe që subjektet politike duhet të bisedojnë për të dalë nga ky realitet. Unë nuk do kisha thënë për zgjedhje të jashtëzakonshme. Besoj se partitë politike duhet të ulen të bisedojnë për reformën zgjedhore, është e domosdoshme për t’u ndryshimet kushtetuese dhe pastaj ta gjejnë mbi bazën e një marrëveshjeje rrugën më të mirë për të ecur përpara”, deklaroi Krasniqi.
Ai tha se nuk është njoftuar për takime mes partnerëve qeverisës. Po kështu edhe zëvendëskryeministri Hajredin Kuqi thotë se nuk është në dijeni të zhvillimeve të fundit, por thekson se nëse partitë tjera duan zgjedhje të jashtëzakonshme, edhe PDK, është e gatshme për një gjë të tillë.
“Takimet tona mes partnerëve janë rutinë, nuk janë lajm. Cilado është zgjidhja kushtetuese për Partinë Demokratike është shumë shqetësuese. Përsa i përket garave politike nëse të tjerët janë të gatshëm të bllokojnë çdo gjë, të shkojnë në zgjedhje, ne jemi të gatshëm të bëjmë një gjë të tillë”, theksoi Kuqi.
Ndërkohë, nënkryetari tjetër i PDK-së Fatmir Limaj tha se në këtë situatë është i domosdoshëm ndryshimi i Kushtetutës së Kosovës sa i përket nenit për zgjedhjen e presidentit.
Duke kundërshtuar mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare, Limaj tha se kosovarët duhet të shkojnë në zgjedhje vetëm për të zgjedhur presidentin.
“Reforma për zgjedhjen e presidentit nuk është e njëjtë si reforma për zgjedhjen e përgjithshme. Për zgjedhjet e përgjithshme duhet kohë, ndërsa për zgjedhjen e presidentit është shumë e thjeshtë, ndryshohet një nen kushtetues dhe praktikisht menjëherë mund të shkohet drejt zgjedhjeve”, tha Limaj.
Këto reagime erdhën pasi në orët e para të mëngjesit të ditës së shtunë, partia e Behgjet Pacollit anuloi ceremoninë e dorëzimit të detyrës te Jakup Krasniqi duke lëshuar një njoftim për shtyp ku thuhej se partia ishte mbledhur për të rishqyrtuar qëndrimin në lidhje me koalicionin qeverisës.
Top Channel