Ministri i Jashtëm libian, Moussa Koussa dezertoi duke braktisur detyrën e vendin, për të mos punuar me kolonelin Muamar Gedafi.
Ai mbërriti nga Tunizi në Londër, me një avion britanik. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme britanike tha se Koussa, që është rreth të 60-ave, mbërriti në perëndim të Londrës, të mërkurën në mbrëmje.
“Na tha se do të japë dorëheqjen nga posti që mban. Ne po e diskutojmë këtë me të, ndërsa do të publikojmë më vonë të gjithë detajet. Moussa Koussa – shpjegoi zëdhënësi – është një nga figurat kyçe të qeverisë së Gedafit dhe roli i tij ishte të përfaqësonte regjimin në arenën ndërkombëtare, diçka që ai ka vendosur të mos e bëjë më”.
Ministria e Jashtme britanike u apeloi të gjithë anëtarëve të qeverisë libiane të braktisin Gedafin.
Zyrtarët e shërbimeve sekrete britanike shpresojnë të përfitojnë nga njohja e tij e thellë e Gedafit dhe regjimit, që do të sjellë fundin e shpejtë të tij.
Një zëdhënës nga Libia mohoi dezertimin e Moussa Koussa-s, që sipas tij është me mision diplomatik.
Një zyrtar i lartë e administratës amerikane tha për AFP, duke ruajtur anonimatin se: “Ky është një dezertim shumë domethënës dhe një tregues i qartë se njerëzit pranë Gedafit mendojnë se atij po i vjen fundi”.
Më herët, sekretari i jashtëm britanik, William Hague tha se pesë diplomatë libianë, mes të cilëve edhe një atashe ushtarak, u dëbuan jashtë Britanisë së Madhe me argumentimin se përbëjnë një kërcënim për vendin.
Top Channel