
Ministri i Jashtëm i Libisë, Moussa Koussa, mbërriti sot në Britani ku kërkoi strehim politik dhe deklaroi ndarjen e tij nga regjimi i Gaddafi-t.
Lajmi ishte i papritur për komunitetin ndërkombëtar, por përbën edhe një kthesë në jetën politike të një funksionari të lartë në qeverinë libiane për më shumë se tre dekada.
Karriera e Koussa-s nisi në vitin 1979, kur ai u shndërrua në ambasador “de facto” i kolonelit në Londër. Në vitin 1980, duke folur mbi disa vrasje që shërbimet sekrete bënë ndaj disa disidentëve në tokën angleze, Koussa reflektoi:
”Komitetet revolucionare kanë vendosir të vrasin edhe dy persona të tjerë në Britaninë e Madhe dhe unë e aprovoj këtë”. Në vitet si ambasador, ai tregoi simpati për terroristët e IRA-s.
Që prej vitit 1994 deri në vitin 2009, Koussa ishte koka e Shërbimeve Sekrete Libiane, duke u bëre autor i shumë krimeve kundër njerëzimit e një bashkëpunëtor shumë i ngushtë i diktatorit Gaddafi.
Në vitin 2009, Koussa-s iu besua posti i Ministri të Jashtëm. Ai mbërriti sot në Britani duke u distancuar nga regjimi i kolonelit, por e kaluara e tij e bën të pamundur që të ndahet emri i Koussa-s nga tirania e Gaddafi-t në Libi.
Top Channel