
Britania e Madhe bëri të ditur se nuk i ka ofruar imunitetit nga hetimet Ministrit të Jashtëm të Libisë, Moussa Koussa, pas mbërritjes së tij të papritur në vend.
Koussa kërkoi strehim politik në mbërritjen në Angli dhe Ministri i Jashtëm i Britanisë, William Hague, bëri të ditur se Koussa nuk është më një funksionar i regjimit libian.
Ndërkohë, zyrtarë britanikë janë duke marrë në pyetje Zotin Koussa, ish-drejtuesi i Shërbimeve Sekrete Libiane dhe i konsideruar gjerësisht si “dora e djathtë” e mizorive të Gaddafi-t.
Lajmi për mbërritjen e Koussa në Britani mbërriti ndërkohë që rebelët po tërhiqen nga disa qytete bregdetare në lindjes të kapura më parë, pasi ofensiva e forcave qeveritare vazhdon.
Një kolonë në tërheqje e rebelëve ra nën zjarr të rëndë midis Bregës dhe Ajdabijës në mëngjesin e sotëm, një ditë pasi Brega, Bin Javadi dhe Ras Lanufi ranë në duart e forcave të Gaddafi-t. Disa mijëra persona janë vrarë deri tani si rrjedhojë e luftës në Libi.
Ndërkohë, NATO ka marrë komandën e plotë të të gjitha operacioneve ajrore, duke i dhënë kështu fund tranzicionit. Sekretari i përgjithshëm Rasmussen tha se, tani do të përmbushim misionin, por u shpreh kundër armatosjes së rebelëve.
Top Channel