Brenda javës së ardhshme do të merren veprime konkrete për zgjedhjen e presidentit, ka thënë kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, duke shtuar se qeveria e Kosovës nuk është indiferente ndaj zhvillimeve të fundit që kanë ndodhur në vend.
Ai këto komente i bëri në mbledhjen e rregullt të kabinetit qeveritar, me ç’rast ka thënë se qeveria është aktive dhe është duke i përcjellë me seriozitetin më të lartë zhvillimet, gjithmonë duke vënë interesin e vendit dhe të qytetarëve në radhë të parë.
Thaçi ka theksuar se qeveria e Kosovës e respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese, sikurse e respektojnë edhe Presidenca dhe Kuvendi i Kosovës, përderisa ka theksuar se do të ketë angazhime të shpejta dhe konkrete në respektimin e ligjit dhe normave demokratike, për të bërë zgjedhjen e duhur të presidentit.
“Ne si qeveri, por edhe individë me përgjegjësi të larta shtetërore, politike, por edhe si qytetarë të Kosovës, do të angazhohemi për veprime të shpejta konkrete dhe në përputhje të plotë me Kushtetutën, ligjet dhe normat demokratike të vendit tonë, në mënyrë që të vazhdojmë me zgjedhjen e duhur dhe të shpejtë të çështjeve”, ka thënë Thaçi.
Top Channel