Rusi, Medvedev: Do të shkatërrojmë militantët

30/03/2011 15:35

Presidenti i Rusisë, Dmitry Medvedev, deklaroi sot se vendi që ai drejton do të përdorë të gjithë mjetet që ka në dispozicion për të shtypur lëvizjen islamiko-separatiste në Kaukazin e Veriut, përgjegjëse për humbjen e jetës së qindra rusëve në sulmet e kryera në vitet e fundit.

Deklarata e Medvedev-it vjen pasi forcat e sigurisë vranë 17 rebelë ditën e hënë, të ndodhur në një fshat në zonën e Ingushetisë, pranë Çeçenisë. Tre pjestarë të trupave komando humbën jetën në këto luftime.

”Çdo bandit duhet të kuptojë se duhet të ndalojë rezistencën e tij menjëherë, pasi kjo është e vetmja mënyrë që ata të kenë një të ardhme. Nëse këmbëngulin me këtë aktivitet criminal, atëherë do të shkatërrohen pa përjashtim”, deklaroi Medvedev-i në Televizionin Shtetëror.

”Lufta ndaj lëvizjeve separatiste dhe islamike do të vazhdojë me forcë. Lajmi i fundit, për operacionin e suksesshëm në Ingusheti, është një lajm i mirë për paqen, pasi i kemi shkaktuar militantëve një dëm serioz”.

Luftimet në Ingusheti ndodhën në përvjetorin e një sulmi me bomba në metronë e Moskës, ku 40 persona mbetën të vdekur. Në janar, në një sulm kamikaz të militantëve në aeroportin “Demododevo” të Moskës, 37 persona mbetën të vrarë.

Sipas burimeve zyrtare, në luftimet e ditës së hënë mund të jetë vrarë edhe lideri i lëvizjes islamike, njëkohësisht njeriu më i kërkuar në Rusi, çeçeni Doku Umarov, por për momentin nuk është ende e mundur të konfirmohet ky raportim.

Megjithatë, Agjensia Ruse “Interfax”, mundi të konfirmonte vdekjen e një lideri të rëndësishëm të lëvizjes militantiste, i shumëkërkuari Sepyan Abdullayev.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA