Forcat qeveritare në Libi janë duke vazhduar një ofensivë totale, e cila i ka lejuar që deri tani të jenë në gjendje të rikthejnë në zotërimin e tyre disa qytete të kontrolluara prej protestuesve.
Më parë gjatës ditës u konfirmua se rebelët humbën portin e Ras Lanufit dhe qytetin e ndodhur pranë, Bin Javad. Luftime janë duke vazhduar edhe në Misrata, të vetmin qytet të kontrolluar prej kryengritësve në perëndim, i cili vazhdon të përballet me luftime të ashpra për të disatën javë me radhë.
Ndërkohë, Presidenti i SHBA-së, Barack Obama, deklaroi se mundësia e armatosjes së rebelëve, e propozuar nga Franca, është një ide që duhet marrë parasysh.
Në bashkëpunim me partnerët e koalicionit perëndimor, mund të dërgohen tonelata me municione në Bengazi, armë që do të shpërndahen më pas midis protestuesve.
Pavarësisht bombardimit të vazhdueshëm të pozicioneve qeveritare nga vendet e NATO-s, trupat e Gaddafi-t vazhdojnë të rezistojnë mirë në luftimet në terren.
Stërvitja e vërtetë ushtarake dhe armatimi më i mirë duket se po bëjnë diferencën përballë kryengritësve të armatosur me armë të lehta dhe pa marrë më parë ndonjë stërvitje të mirëqënë.
Top Channel