Një ditë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që shpalli ilegjitime zgjedhjen e Behgjet Pacollit president, është mbledhur kryesia e Kuvendit të Kosovës, ku kryetarët e grupeve parlamentare kanë diskutuar mbi opsionet kushtetuese që mund të ndiqen pas këtij vendimi.

Por duket se opsione të tilla nuk ka shumë. Pacolli ose do t’i nënshtrohet rivotimit, ose në rast se nuk votohet Jakup Krasniqi do të rikthehet në pozitën e ushtruesit të detyrës së presidentit.

Gjithësesi, në rast rivotimi ështe e nevojshme prania e opozitës në sallën e Kuvendit. Por ndërsa LDK pret shpalljen e aktvendimit, partitë e tjera Vetëvendosje dhe AAK kanë njoftuar tashmë se nuk do të jenë nëse zgjidhet një opsion i tillë.

“Kjo shkelje e bën Pacollin personalitet të kontestueshëm politik, që cështjet e brendshme të Kosovës i diskuton me Serbinë, prandaj ne nuk do jemi në sallë”, ka deklaruar deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca.

“Një opsion është të propozohet një kandidat tjetër, ndërsa tjetri të provohet të gjenden modalitete dhe zgjedhje të lira. Për këtë kemi afat 6 muaj, kohë gjatë të cilës mund të kemi ushtrues të detyrës së presidentit”, ka propozuar nga ana tjetër Ardian Gjini, kryetar i grupit parlamentar të AAK-së.

Ndërkohë, deputeti i PDK-së Xhavit Haliti, që ka marrë postin e nënkryetarit të Kuvendit, ka deklaruar se ky institucion do të procedojë konform rregullave dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Top Channel