
Presidenti Amerikan, Barack Obama, mbrojti ndërhyrjen e parë ushtarake të presidencës së tij, por premtoi gjithashu një përfshirje të kufizuar në Libi, në një fjalim shpjegues të mbajtur përpara kombit.
Sipas Obamës, “pjesëmarrja e koalicionit perëndimor në luftime do të kursejë shumë jetë të pafajshme njerëzish”, ndërsa theksoi se qëllimi i vërtetë i ndërhyrjes nuk është rrëzimi i Gaddafi-t, por mbrojtja e civilëve.
Ndërkohë, delegatë nga disa dhjetëra vende janë duke u mbledhur në Londër, ku do të zhvillohet një konferencë që do të përcaktojë të ardhmen e Libisë pas rënies së afërt të regjimit në fuqi.
Në terren, luftimet vazhdojnë të jenë të ashpra në Sirte, qytet thelbësor për vlerat strategjike, ekonomike dhe morale, pasi ai është edhe vendi i origjinës së kolonelit.
Forcat qeveritare kanë arritur një fitore të përkohshme, duke shtyrë rebelët e ndodhur në rrethinat e qytetit 50 kilometra më në lindje, pranë rrugës së Ajdabijës.
Gjatë natës, avionët e koalicionit perëndimor bombarduan pozicione të tjera të rëndësishme qeveritare në perëndimin e vendit.
Top Channel