Libi, mësyn ushtria e Gaddafi-t

29/03/2011 21:35

Forcat pro-qeveritare në Libi kanë intensifikuar sulmet e tyre kundër rebelëve, duke i detyruar ata të tërhiqen disa dhjetra kilometra nga territori që kishin marrë nën kontroll në ditët e fundit.

Sipas mediave ndërkombëtare, rebelët kanë pësuar disfatë në Bin Jauad dhe shumica e tyre janë larguar në zona edhe më lindore pas qytetit Ras Lanuf.

Misrata, qytet afër Tripolit, është bërë objekt i sulmeve të rënda, ndërkohë që vetë kryeqyteti është tronditur nga disa shpërthime.

Forcat anti-Gaddafi kishin bërë progres në zonat perëndimore, nga bastioni i tyre në Bengazi, të ndihmuar nga sulmet ajrore të aleatëve.

Ata kishin marrë nën kontroll një numër zonash të rëndësishme bregdetare, ku ndodhen edhe instalimet e naftës, përfshirë këtu Ras Lanuf, Brega, Ukajla dhe Bin Jauad.

Por korrespondentët e mediave ndërkombëtare deklarojnë se situata ka ndryshuar ndjeshëm gjatë ditës së sotme, pasi trupat pro-qeveritare kanë përdorur armë të rënda zjarri, duke detyruar rebelët të bëjnë një tërheqje masive.

Rebelët kanë arritur në Naufalija, 120 kilometra larg vendlindjes së kolonel Gaddafi-t, Sirte, por edhe këtu janë detyruar të tërhiqen rreth 30 kilometra.

Luftimet janë zhvilluar në një kohë kur në Londër është zhvilluar një samit jetik mbi të ardhmen e Libisë, ku merrnin pjesë përfaqësues të OKB-së, NATO-s, Unionit Afrikan, Lidhjes Arabe, etj.

Në hapje të bisedimeve, kryeministri britanik David Cameron deklaroi se ata që merrnin pjesë në këtë samit donin të ndihmonin popullin e Libisë në momentet e nevojës dhe t’i mundësonin atij një të ardhme të lirë nga dhuna dhe shtypja.

Cameron tha se pjesmarrësit duhet të riafirmojnë angazhimet e tyre në kuadër të rezolutës së OKB-së për Libinë, të sigurojnë shpërndarjen e shpejtë të ndihmave humanitare dhe të ndihmojnë qytetarët libianë të planifikojnë një të ardhme post-lufte.

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon deklaroi se kalimi i Libisë në një regjim demokratik do të kërkojë kohë dhe angazhimin e të gjithë komunitetit ndërkombëtar.

Ndërsa sekretarja e Shtetit Hillary Clinton u shpreh se aksionet ushtarake duhet të vazhdojnë derisa kolonel Gaddafi të pajtohet me kushtet e rezolutës së OKB-së.

Top Channel