Libi, ditë e suksesshme për Gaddafi-n

29/03/2011 21:15

Ushtria e Gaddafi-t përfitoi nga mungesa e bombardimeve gjatë ditës së sotme për të siguruar përparime të ndjeshme në luftimet me rebelët, të shtyrë disa kilometra më në lindje.

Luftime të ashpra u zhvilluan në Misurata, qytet që rebelët po e mbrojnë me gjak që prej fillimit të konfliktit, por ushtria qeveritare arriti suksese të rëndësishme në Sirte, duke i shtyrë kryengritësit 50 kilometra drejt lindjes.

Përleshje të përgjakshme u regjistruan edhe në Bin Jawad, ndërsa banorët e Nawfalijas luftuan përkrah kryengritësve, në një gjest që i tregon qartë botës shtypjen që kanë përjetuar qytetarët e varfër libianë.

Megjithatë, ndërsa në Londër u mblodh një konferencë për të biseduar rreth të ardhmes së vendit pas largimit të Gaddafi-t, për superfuqitë ndërkombëtare bëhet e qartë se pa ndërhyrjen e tyre, forcat kryengritëse e kanë tërësisht të pamundur të avancojnë, madje as të mbrojnë fitimet e tyre.

Top Channel