Japoni, rishikohen masat e sigurisë bërthamore

29/03/2011 21:00

Qeveria japoneze vendosi këtë të martë që të ndryshojë rregulloret e saj mbi sigurinë bërthamore, ndërsa pranoi publikisht se masat e mëparshme u treguan të paefektshme përballë tërmetit 9 të shkallës rihter të 11 marsit.

Vendimi erdhi pasi për javën e tretë rresht, autoritetet luftojnë në centralin e dëmtuar bërthamor të Fukushimës, për të penguar përhapjen e rrezatimeve dhe lëndëve radioaktive, të cilat janë përhapur në tokën dhe ujin përreth reaktorëve.

”Gatishmëria jonë nuk ishte e mjaftueshme”, deklaroi shefi i kabinetit, Yukio Edano, zëdhënësi më i lartë i Tokios zyrtare për reporterët. “Kur kriza aktuale të përfundojë, gjëja e parë që do të bëjmë është të ulemi dhe të ekzaminojmë mënyrat se si mund të forcojmë masat tona të sigurisë”.

Pasi disa ditësh stabilizimit të situatës në Fukushima, një kthesë negative ka ndodhur së fundmi dhe punonjësit po luftojnë për të penguar rrjedhjen e lëndëve radioaktive në det.

Kryeministri Naoto Kan pranoi më parë gjatë ditës se situata mbetet kritike dhe nuk mund të parashikohet se çfarë do të ndodhë. Bilanci aktual i tërmetit më të fuqishëm që ka goditur ndonjëherë Japoninë është 11 mijë të vdekur, por pritet që të rritet deri në 18 mijë. Dëmet i kalojnë 310 miliardë dollarët.

Top Channel