
Forcat siriane qëlluan në ajër ditën e sotme për të shpërndarë një protestë në qytetin e Derës, ku përplasje kanë ndodhur prej më shumë se një jave.
Mbi 60 persona janë vrarë në protestat e këtij qyteti të ndodhur pranë kufirit me Jordaninë në këto tetë ditë demonstrime kundër regjimit të presidentit Bashar al-Assad, prandaj mungesa e raportimeve për të vdekur ishte një lajm i mirë sot.
Megjithatë, siç përshkruajnë korrespondentët e mediave ndërkombëtare, qyteti i shndërruar në epiqëndrën e protestave, Dera, ka marrë pamjen e një fushëbeteje, ndërsa snajpera të ushtrisë vëzhgojnë turmën gati për të qëlluar, nga tarracat e ndërtesave të larta.
Më parë gjatë ditës u raportua se ushtria është vendosur në pozicione pranë qyteteve kryesore si Latakia dhe Hama, qytete që virtualisht janë të rrethuar nga të gjitha anët,
Shtypja demokratike dhe kushtet e vështira të jetesës kanë detyruar disa dhjetëra mijëra sirianë që të dalin në rrugë për të protestuar ndaj regjimit.
Siria, një vend me 22 milion banorë, drejtohet prej 11 vitesh nga presidenti al-Assad. Ai zëvendësoi në këtë rol babain e tij, i cili drejtoi vendin për më shumë se tre dekada.
Top Channel