
Rebelët libianë janë duke luftuar për të siguruar kontrollin e rrugës që të dërgon në zemrën e territorit të komanduar nga besnikët e Gaddafi-t në Sirte, informojnë mediat ndërkombëtare.
Ndërkohë, bombardimet nga NATO, e cila tashmë drejton komandën e operacioneve, kanë vazhduar. Megjithatë, një zëdhënës theksoi se aleanca është duke ndjekur objektivat e saj të paracaktuar dhe nuk po bombardon për t’i hapur rrugën rebelëve në terren.
Gjatë mëngjesit, një zëdhënës i forcave rebele e konsideroi Sirten si të marrë, por luftimet dhe shpërthimet e fuqishme që vazhdojnë të dëgjohen tregojnë se forcat qeveritare po mbrojnë me vendosmëri qytetin e vendlindjes së Gaddafi-t.
Sirte, një qytet i rëndësishëm në industrinë e naftës së Libisë, është qyteti i fundit i madh në rrugën drejt kryeqytetit Tripoli, ku pritet të zhvillohet edhe beteja finale.
Tetë ditë pas ndërhyrjes së koalicionit perëndimor, forcat rebele janë duke fituar vazhdimisht terren. Në fundjavë, qytetet Ras Lanuf, Brega, Uqaila dhe Bin Javad ranë në duart e tyre.
Top Channel