Itali, grevë e revolta në Lampeduza

28/03/2011 15:55

Një grup klandestinësh në ishullin italian të Lampeduzës u futën sot në grevë urie, për të protestuar ndaj kushteve të këqija të sistemit në qëndrat pritëse.

Një ishull i vogël në Detin Mesdhe, Lampeduza ka një qendër pritëse me kapacitet prej 800 personash, por 1 933 emigrantë mbërritën vetëm në 24 orët e fundit, ndërsa në total 3 721 në fundjavë.

Kushtet higjentike dhe ato sanitare janë jashtëzakonisht të vështira, ndërsa shumica e emigrantëve janë detyruar të flejnë në natyrë.

Autoritetet italiane janë duke shpërndarë një numër sa më të madh protestuesish në Siçili dhe Kalabri, por fluksi me të cilin të tjerë mbërrijnë është bërë i papërballueshëm për autoritetet.

Përveç grevës së urisë së klandestinëve, Italia duhet të përballet edhe me revoltat e banorëve të Lampeduzës, të kanë bllokuar disa herë ankorimin e mjeteve të klandestinëve, si rrjedhojë e pakënaqësisë për tejmbushjen e ishullit dhe problemet e sigurisë që janë krijuar.

Ndërkohë, dy anije me në bord disa dhjetëra persona janë zhdukur disa orë pas nisjes nga Libia. Besohet se të dyja mjetet janë mbytur.

Që prej nisjes së revoltave në vendet e Afrikës së Veriut, Italia ka njohur një fluks të jashtëzakonshëm zbarkimesh, ndërsa më shumë se 10 mijë klandestinë kanë mbërritur gjatë kësaj kohe në Itali.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA