Bombardimet në Libi

27/03/2011 12:15

Avionët francezë goditën dhe shkatërruan pesë avionë të forcave libiane dhe dy helikopterë, gjatë një sulmi kundër besnikëve të kolonelit Muamar Gedafi.

Zëdhënësi i ushtrisë franceze tha se avionët ndodheshin në një bazë ajrore në Misurata, gati për të nisur sulme në zonën që është nën kontrollin e kryengritësve.

Një prej kryengritësve i tha agjensisë Reuters se luftimet në terren ndaluan menjëherë pasi avionët e forcave aleate u panë në qiellin e Misuratas. Ky qytet është një tjetër çelës në betejën për pjesën perëndimore të Libisë. Kryengritësit në Misurata kanë shkëputur çdo lidhje me ata në lindje, që kanë nën kontroll Bengazin.

Sipas autoriteteve libiane, gjatë bombardimeve kanë mbetur të vrarë rreth 100 civilë. Sekretari amerikan i mbrojtjes, Robert Gejts, duke iu referuar informacioneve të shërbimeve sekrete, tha se forcat e kolonelit kanë marrë trupat e vrarë gjatë sulmeve të tyre dhe i kanë vendosur në zonat e bombarduara, për të fajësuar forcat e koalicionit.

Ndërkohë, Axhdabia, deri dje shënjestra e luftës mes paleve, është në duart e kryengritësve, të cilët po avancojnë drejt perëndimit. Ka raportime se ata kanë marrë nën kontroll edhe qytetin e Bregas, 70 km në perëndim. Televizioni shtetëror i Libisë raportoi për bombardime gjatë natës në Sabha, në qendër të Libisë, që kanë vënë në shënjestër si zona ushtarake ashtu edhe civilë, por për këtë nuk ka konfirmime të pavarura.

Sipas televizionit libian, bombardime ajrore ka patur edhe në afërsi të bazës së Gedafit, në Sirti, në brigjet e Mesdheut, në lindje të Tripolit.

Presidenti amerikan, Barak Obama, tha se misioni i qartë dhe shumë i fokusuar në Libi ka arritur sukses. Kryengritja e libianëve nisi në mes të shkurtit, duke kërkuar fundin e pushtetit 40-vjeçar të kolonelit 68-vjeçar, Muamar Gedafi.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA