
Bashkimi Europian vazhdon të besojë se Spanja dhe Portugalia mund të shmangin marrjen e një huaje masive, edhe pse ekonomitë e tyre janë në një gjendje shumë të vështirë.
Qëndrimin e Brukselit zyrtar e bëri të ditur Komisioneri i BE-së për Çështjet Ekonomike, Olli Rehn. Ai shtoi se beson ende që dy shtetet iberike do të jenë në gjendje të shmangin një skenar si ai i përjetuar në Greqi apo Irlandë.
”Spanja nisi një vit më parë një program shumë agresiv për reduktimin e shpenzimeve buxhetore, për ekuilibrimin e sistemit të pensioneve dhe të tregut të punës.
Mbi të gjitha, janë shumë të rëndësishme reformat spanjolle në shpëtimin e sistemit të tyre bankar dhe të githa këto po japin rezultate të mira”, deklaroi Rehn.
Situata paraqitet më dramatike në Portugali, ku paketa financiare e propozuar nga Kryeministri Socrates nuk u miratua në parlament gjatë javës, duke sjellë rrëzimin qeverisë.
Pavarësisht se partitë e opozitës kanë thënë se marrja e një kredie masive nga BE është bërë e domosdoshme, Rehn theksoi: “E rëndësishme përsa i përket Portugalisë, është fakti që të gjitha partitë politike janë të angazhuara maksimalisht për të reduktuar defiçitin e lartë buxhetor”.
Komisioneri Rehn pranoi gjatë intervistës edhe se kandidami për rolin e presidentit të Finlandës, në zgjedhjet e muajit shtator, është një “mundësi reale”.
Top Channel