Forcat e Gaddafi-t dhe rebelët janë në një situatë ekuilibri të plotë në qytetin e Ajdabijës, ku secila palë zotëron gjysmën e zonës urbane, bëjnë të ditur mediat ndërkombëtare.
Sipas dëshmitarëve të cituar nga BBC, pavarësisht bombadimeve të rënda gjatë natës të pozicioneve të forcave qeveritare dhe sulmit të kryer gjatë ditës prej rebelëve, trupat pro-Gaddafi po mbrohen mirë në pozicionet e tyre.
Pasi rebelët tentuan për disa orë të avanconin, u detyruan të tërhiqeshin në pozicionet e tyre fillestare në qytet, si pasojë e humbjeve të rënda.
Ashtu si në Misrata, edhe në Ajdabija zhvillohen luftime prej disa ditësh, ndërsa me dhjetëra mijëra banorë kanë braktisur banesat e tyre në panik dhe janë shpërngulur në qytete të tjera.
Pavarësisht epërsisë së padiskutueshme të forcave të koalicionit në ajër, rebelët nuk janë të aftë të bëjnë për momentin përparime të rëndësishme në tokë, pasi armatimi dhe stërvitja më e mirë e forcave qeveritare i jep atyre një avantazh të padiskutueshëm në luftimet ballë për ballë.
Top Channel