Një rrjedhje e pakontrolluar mund të jetë duke ndodhur në centralin bërthamor të Fukushimës, ndërsa Kryeministri Kan deklaroi se situata në reaktor është “tepër e rëndë dhe serioze”.
Siç informon “Associated Press”, nëse nga veshja e izoluar e reaktorëve është duke rrjedhur lëndë radioaktive, nivelet e rrezatimeve mund të arrijnë nivele jashtëzakonisht të dëmshme për shëndetin.
Situata në centralin bërthamor të destabilizuar nga tërmeti i 11 marsit dukej se ishte duke u përmirësuar, por këto raportime rikthejnë gjendjen alarmante në Fukushima.
”Situata sot në centralin atomik të Fukushimës është ende shumë e rëndë dhe serioze. Duhet të qëndrojmë vigjilentë”, deklaroi Kryeministri Naoto Kan. “Nuk jemi ende në një pozicion në të cilin të shprehemi me optimizëm. Duhet të trajtojmë situatën me një kujdes të jashtëzakonshëm”.
Një ditë më parë, dy punonjës u shtruan në spital pas ekspozimit ndaj niveleve të larta të radioaktivitetit, ndërsa disa dhjetëra të tjerë kanë shfaqur shenja të prekjes.
Rrjedhja duket se mund të jetë duke ndodhur nga reaktori më problematik, i treti nga gjashtë të tillë. Nëse këto raportime vërtetohen, duket se veshja e çelikut prej disa metrash është shpuar.
Ndërkohë, sot burimet zyrtare bënë të ditur se numri i viktimave të tërmetit më të fuqishëm të regjistruar ndonjëherë në historinë e Japonisë kanë kaluar 10 mijë, ndërsa 17 mijë të tjerë janë shpallur të humbur.
Top Channel