BE rikoncepton fondin e emergjencës

25/03/2011 15:45

Liderat e Bashkimit Europian ranë dakord në ristrukturimin e një fondi financiar emergjence, të cilët ata shpresojnë se do të jetë në gjendje të zgjidhë krizën e bllokut.

Ministrat e Financës së vendeve të Eurozonës pranuan propozimin gjerman për të rikonceptuar shumën e fondit, procedurat dhe kohën që çdo shteti në nevojë do t’i duhet të kalojë për të patur akses ndaj tij.

Besohet se shuma fillestare prej 250 miliardë eurosh do të rritet në një fond prej 440 miliardësh, në të njëjtën kohë që do të thjeshtohet marrja e kredive masive nga vendet në vështirësi.

Samiti i Brukselit kishte si qëllim kryesor bisedimin e krizave arabe, por çështjet financiare u ngjitën të parat në rendin e ditës, si rrjedhojë e krizës në Portugali.

Ditën e enjte, Kryeministri Socrates dha dorëheqjen pasi propozimi i tij për reformat financiare nuk u kalua në parlament. Liderat e opozitës kanë cilësuar si të pashmangshme negocimin e një kredie masive me vendet e BE-së.

Portugalia pritet të bëhet vendi i tretë i Eurozonës që të kërkojë ndihmë, pas Greqisë dhe Irlandës, ekonomia e të cilëve pësoi kolapsin në vitin e shkuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA