Libi, intensifikohen luftimet në qytete

24/03/2011 15:05

Luftimet midis rebelëve dhe forcave qeveritare në disa qytete kryesore të Libisë janë intensifikuar, pavarësisht bombardimit të aleatëve mbi vend për ditën e pestë radhazi.

Gjatë natës, disa shpërthime të fuqishme u dëgjuan në kryeqytetin Tripoli. Sipas mediave ndërkombëtare, forcat e Gaddafi-t kanë goditur me tanqe spitalin e qytetit Misrata.

Megjithatë, banorët thonë se më shqetësuese se tanqet dhe mortajat mbeten snajperat, të cilët godasin rastësisht civilët në qytet, pa asnjë kriter.

Një avion gjuajtës francez rrëzoi një aeroplan libian, i cili dhunoi hapësirën e mosfluturimit, ndërsa aktualisht po zhvillohen luftime të forta në qytetin strategjik të Ajdabijës.

Sipas banorëve që janë larguar në panik nga qyteti, forcat qeveritare dhe ato rebele janë duke luftuar shtëpi më shtëpi.

Një zëdhënës i ushtrisë franceze konfirmoi se një bazë ajrore është goditur në provincën e Tajurës, por nuk dha detaje të tjera rreth këtij sulmi.

Vetëm një ditë më parë, një zëdhënës britanik bëri të ditur se kapacitetet ajrore të ushtrisë libiane nuk janë më në gjendje të luftojnë.

Top Channel