
Organizata mafioze japoneze, Yakuza, pasi vetëm ka marrë, ka vendosur edhe të japë. Kështu, ajo ka zbritur në rrugë për t’u përballur me katastrofën e shkaktuar nga tërmeti fatal i 11 marsit, duke u dhënë ndihma qytetarëve.
Nuk kishte ndodhur kurrë më parë që mafia orientale të bënte një gjest bamirësie të përmasave të tilla ndaj popullit. Madje, duket se mes fraksioneve të saj ka nisur një garë se kush të ndihmojë më shumë.
Në ditët e fundit, Inagawa-Kai, organizata e tretë për nga rëndësia, ka dërguar mbi 25 kamionë me ndihma dhe aksesorë në zonat e goditura të rajonit Tohoku, ishull në pjesën lindore të Japonisë, njëkohësisht bastion i saj.
Natyrisht, nuk kanë mbetur pas organizata e dytë, Sumiyoshi-Kai dhe Yamaguchi-Gumi, të cilat vetëm pak orë pas tërmetit kanë hapur zyrat e tyre në Tokio duke iu ofruar strehim qytetarëve.
Megjithatë, të gjithë duhet ta kenë të qartë se, edhe pse të toleruar në vendin e tyre, ata janë kriminelë të pamëshirshëm të një super-organizate që numëron disa dhjetëra mijëra anëtarë.
E lindur rreth 400 vjet më parë, Yakuza është kthyer tashmë në një institucion në Japoni, ku ka zyra në qendër të Tokios dhe gazeta nën urdhërat e saj. Klanet kriminale merren kryesisht me prostitucionin dhe lojrat ilegale të fatit, por edhe me zhvatje e shantazhe.
Ata duan të duken si Robin Hood, edhe pse gjaku në duart e tyre është shumë, aq sa fitimet e bamirësive të tyre, do t’i marrin më vonë.
Top Channel