Një përshkrim të hollësishëm të politikës së viteve të fundit dhe të politikanëve në Greqi e dhanë telegramet e fshehta të Wikileaks, të botuar nga e përditshmja helene “Kathimerini”.

Të gjithë raportimet janë kabllograme të Ambasadës Amerikane në Athinë, të siguruar ilegalisht nga Wikileaks dhe zbulojnë prapaskenat në çështjet e mprehta të Greqisë që i interesonin Uashingtonit si dhe japin hollësi për grupet terroriste dhe rolin e mediave greke.

Për Kryeministrin Papandreu, thuhet se e kishte të vështirë të gjente ekuilibrat në gjirin e partisë së tij në vitin 2007, kur ishte në opozitë.

”Për të fituar besim në sytë e grekëve që e akuzonin shpeshherë si proamerikan, ai kalon në komente të tejskajshme anti-amerikane”, shkruan ambasadori Carl Ris, një vit më vonë.

Pas zgjedhjeve të 2009-s, kur Jorgos Papandreu erdhi në pushtet, ambasadori i ri amerikan, Daniel Speechhard, shkruan për një ndryshim pozitiv të klimës dhe deklaratave të tij ndaj SHBA-së.

Ish-Kryeministri Karamanlis konsiderohet nga Uashingtoni si “Buda i politikës greke”, pasi ai nuk i zbulon asnjëherë mendimet e tij, ndërsa ajo që shihet me sy kritik prej Shtëpisë së Bardhë ishte orientimi i tij drejt Kremlinit në çështjet energjitike.

Udhëheqësi i sotëm i “Demokracisë së Re”, Andonis Samaras, konsiderohet si një proamerikan i ardhur nga “shkretetira politike”, por më shumë konservator se Dora Bakojanis, Ministre e Jashtme, e cila besohej se do të pasonte Karamanlis-in.

Ajo që ka shkaktuar reagime në skenën politike greke është një telegram sipas te cilit numri dy i qeverisë së sotme helene, Teodoros Pangalos, e ka quajtur para ambasadorit amerikan çështjen e emrit të Maqedonise si qesharake dhe absurde që në fillimet e saj.

Top Channel