Libi, zbardhen detajet e sulmit

19/03/2011 19:00

Sulmi i parë ajror francez në Libi u krye në 16:45 me orën lokale dhe e shkatërroi objektivin e tij, ka bërë të ditur një zëdhënës ushtarak francez.

Avionët francezë kishin kryer më parë edhe disa fluturime patrullimi mbi të gjithë territorin libik, ka deklaruar burimi.

Ndërkohë, një zëdhënës tjetër ka bërë të ditur për agjencinë e lajmeve “Reuters”, se rreth 20 avionë ushtarakë u përfshinë në sulmin e ditës së sotme.

Ndërkohë, forcat ajrore dhe ato detare të vendeve të tjera pritet t’u bashkohen atyre franceze.

SHBA do të përdorin aftësitë e tyre “unike” për të përforcuar zonën e ndalim-fluturimit, ka deklaruar sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton.

Megjithatë, Clinton ka theksuar se Shtetet e Bashkuara nuk do të vendosin trupa ushtarake në terren.

Ndërsa kryeministri kanadez Stephen Harper ka deklaruar se ndërkohë po vendoset edhe një bllokadë detare.

Nga ana tjetër, Franca ka nisur aeroplanmbajtësen e saj “Charles De Gaulle” drejt brigjeve të Libisë, ka shtuar më tej zëdhënësi.

Top Channel