Libi, luftime në qytetin e Bengazit

19/03/2011 09:10

Luftime janë duke u zhvilluar aktualisht në qytetin e Bengazit, pavarësisht se Gaddafi shpalli një ditë më parë armëpushimin dhe vendet perëndimore po përgatiten për një ndërhyrje ushtarake.

Sipas korrespondetit të BBC-së, një sulm i koordinuar ka nisur që në orët e para të mëngjesit, ndërsa një avion qeveritar është rrëzuar, por nuk është ende e qartë nëse kjo ka ndodhur si pasojë e goditjes nga forcat perëndimore.

Rebelët kanë deklaruar se janë vendosur nën një sulm të rëndë nga forcat e Gaddafi-t, të cilat dëshirojnë të bëjnë fakt të kryer marrjen e Bengazit, përpara se sot të diskutohet në Paris për ndërhyrjen ushtarake të perëndimit mbi vendin afrikan.

Tripoli zyrtar i ka hedhur poshtë këto pretendime, ndërsa thekson se nuk ka gisht në këto luftime që po ndodhin.

Një ditë më parë, një rezolutë e OKB-së miratoi zonën e ndalim-fluturimit mbi Libi dhe mbrojtjen me çdo mjet të qyteterave, me përjashtim të pushtimit.

Ky vendim i hap rrugë një ndërhyrje ushtarake të fuqive perëndimore ndaj forcave të Muammar Gaddafi-t.

Top Channel