Egjipt, votohet për ndryshime kushtetuese

19/03/2011 08:40

Egjipti do të nisë të votojë sot në një referendum për ndryshime të rëndësishme kushtetuese, javë pasi Hosni Mubarak u largua nga froni pas kryengritjeve popullore.

Midis ndryshimeve parashikohet edhe reduktimi në kohë i mandatit të presidentit nga gjashtë në katër vjet, kufizimi në dy mandate maksimumi dhe detyrimi për të caktuar një zëvendës.

Dy grupimet më të fuqishme politike në vend, Partia Kombëtare Demokratike dhe Vëllazëria Muslimane i kanë bërë thirrje mbështetësve të tyre që të aprovojnë ndryshimet.

Megjithatë, aktivistë të tjerë pro-demokratikë këmbëngulin se ndryshimet nuk janë rrënjësore dhe se platforma nuk e shmang rrezikun e një diktatori të ri të stilit Mubarak, prandaj kanë vendosur të dalin kundër.

Sipas tyre, modifikimet nuk janë të mjaftueshme, pasi e gjithë kushtetuta duhet ripunuar nga e para, në mënyrë që zgjedhjet e ardhshme presidenciale të mbahen me garanci.

Top Channel