
Nënkryetari i PDK-së, Fatmir Limaj ka hequr dorë nga mandati i deputetit, duke shprehur gatishmërinë e tij për t’u hetuar nga misioni EULEX.
Në një konferencë për shtyp të mbajtur pasditen e sotme, Limaj ka deklaruar se beson në pastërtinë e luftës së UCK-së dhe se është gati të ballafaqohet me drejtësinë.
Ndërkohë që i mbetet Kuvendit të Kosovës t’i heqë imunitetin, Limaj ka kërkuar nga misioni evropian që drejtësia të mos kufizohet vetëm tek figura e tij.
Ditën e djeshme policia e EULEX-it arrestoi 9 persona, ish-luftëtarë dhe drejtues të UCK-së, të dyshuar për kryerjen e krimeve të luftës.
Gjatë këtyre viteve, Limaj ka qenë drejtues i brigadës “Kumanova”. Për të njëjtën akuzë ai u gjykua në Hagë pak vite më parë, ku u shpall i pafajshëm.
Ndërsa së fundmi ai është hetuar nga EULEX për pozitën e tij si ministër i Transporteve, nën dyshimin për korrupsion dhe favorizim të tenderave.
Top Channel