Greqia do të vazhdojë të përballojë probleme të mëdha në sektorin ekonomik për më shumë kohë se sa ishte parashikuar, shkruhet në raportin e progresit që ka publikuar sot FMN.

Sipas këtij raporti, ekonomia greke që vështirësohet në rrugën e saj edhe nga mbivleresimi i euros, do fillojë të dalë nga zhytja e saj më e thellë, në 6 mujorin e dytë të këtij viti dhe do të ketë një tkurrje prej 3%, ndërsa në vitin 2010 reçensioni arriti deri në 4.5%.

Në raportin e FMN-së kërkohen masa të reja sipas të cilave do të përfitohen 24 miliardë euro me reduktimet në përfitimet dhe kompensimet e të ardhurave të punonjësve në sektorin publik, ristrukturime të ndërmarrjeve shoqërore, reduktime të reja të pagave dhe pensioneve si dhe të shpenzimeve në sistemin shëndetësor dhe në sektorin ushtarak.

Qeveria Papandreu ka vënë objektiv që nga lufta për evazionin fiskal të përfitojë 9,2 miliardë euro deri në 2015, ndërsa së shpejti do të publikohet edhe lista me disa prej ndërmarrjeve shtetërore që do të privatizohen.

Sipas një vlerësimi të ekspertëve të FMN-së, Greqia do të mundet që deri në vitin 2020 të reduktojë me 18% borxhin e saj kolosal.

Ndërkohë sindikatat greke vazhdojnë të kundërshtojnë masat e rrepta antikrizë.

Në një grevë 24 orëshe ndodhen sot punonjësit e transportit publik duke shkaktuar kaos në trafikun e qyteteve të mëdha Athinë dhe Selanik.

Gjithashtu grevë 24 orëshe me kërkesa ekonomike kanë shpallur edhe unionet gazetareske në mbarë vendin duke kërkuar ruajtjen e vendeve të punës dhe respektimin e kontratave të punësimit për të gjithë gazetarët në mediat e shtypit apo ato elektronike.

Top Channel