Policia ekzekutive e misionit evropian për sundimin e ligjit, EULEX, gjatë ditës së sotme ka bërë disa arrestime në Kosovë në lidhje me akuzat për krime lufte.

Aksioni ka ngjallur reagimin e ashpër të veteranëve të UCK-së, sipas të cilëve këto veprime nxisin tensione në Kosove.

EULEX, nëpërmjet një komunikate ka njoftuar se arrestimet janë kryer me urdhër të gjykatësit të EULEX-it të procedurës paraprake nga Gjykata e Qarkut të Prishtinës.

Hetimet ndërkaq, janë duke u zhvilluar nën mbikëqyrjen e një prokurori të Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Por, teksa EULEX-i nuk jep detaje për numrin e të arrestuarve, burime nga Policia e Kosovës bëjnë të ditur për Top Channel se janë arrestuar 9 ish-ushtare të UCK-së, prej këtyre 4 në Malishevë, njëri prej të cilëve quhet Behlul Limaj.

Ndërkohë, agjencia “Kosova Press” shkruan se urdhër-arresti është lëshuar për 11 ushtarë të brigadës 121 – “Kumanova” të Ushtrisë Clirimtare të Kosovës.

Nga ana tjetër, në Prizren gjatë mëngjesit u tentua të arrestohej në shtëpinë e tij drejtori i policisë rajonale, Nexhmi Krasniqi.

Agjencia “Infoglob” njoftoi se një grup i vogël qytetarësh krijoi barrikada duke penguar ELUEX-in të arrestojë Krasniqin. Por disa orë më vonë Krasniqi duket se është vetëdorëzuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA