
Televizioni shtetëror libian pretendon se trupat e kolonel Muamar Gadafit kanë shënuar fitore të rëndësishme ndaj forcave anti-qeveritare që kontrollojnë një pjesë të mirë të vendit pas rebelimit dy javor.
Sipas këtij televizioni, besnikët e Gadafit kanë rimarrë disa qytete, përfshirë Misratën, Ras Lanufin dhe Tobrukun. Megjithatë, korrespondenti i BBC-së në Ras Lanuf thotë se rafineria e rëndësishme e naftës në këtë qytet vazhdon të mbetet në duart e kryengritësve. Të shtëna zjarri u dëgjuan në Tripoli mëngjesin e sotëm dhe zyrtarët libianë nxituan t’i përshkruajnë si formë kremtimi e fitoreve të qeverisë.
Megjithatë, burime të tjera në terren lënë të kuptohet se situata nuk është tamam ajo e ofruar nga autoritetet, vetëm në pastë ndryshuar brenda natës, thotë BBC.
Një komandat i rebelëve tha për agjensinë e lajmeve Reuters se forcat e tij kanë hyrë më thellë në perëndim të vendit, duke iu afruar gjithmonë e më shumë fortesës së Gadafit, Sirte.
Luftime të ashpra u zhvilluan një ditë më parë për kontrollin e Zawiya-së, në perëndim të Tripolit. Luftëtarët e opozitës fillimisht i mundën forcat e Gadafit duke i bërë ata të tërhiqen nga qendra e qytetit. Por trupat besnike të kolonelit u rikthyen për një tjetër sulm, ndërsa një numër i madh automjetesh të rënda të ushtrisë mbërrinin në zonë.
Besnikët e Gadafit në Tripoli kanë ngritur postblloqe dhe po kontrollojnë makinat në mes të thirrjeve të opozitës për protesta pas lutjeve të së premtes.
Gazetarët e huaj nuk janë lejuar të largohen nga hotelet, ndërsa interneti nuk punon. Po të shtunën, avionë të qeverisë kanë bombarduar një bazë ushtarake që është në duart e forcave anti-qeveritare pranë qytetit lindor të Ajdabiya-s, sulmi i tretë brenda vetëm disa ditësh.
Top Channel