Libi, përgatitet një sulm i ri ndaj Zavijës

05/03/2011 13:10

Një sulm i ri i forcave qeveritare është duke u përgatitur ndaj Zavijës, ndërsa tanqe, artileri dhe divizione me ushtarë po rrethojnë qytetin me 200 mijë banorë.

Lajmin e raportoi përpara pak minutash “Reuters”. Rebelët që kanë nën kontroll Zavijën arritën të rezistonin në një vale sulmi prej pesë orësh, të nisur në orën gjashtë të mëngjesit, ndërsa disa dhjetëra të vrarë u regjistruan nga të dyja palët. Besohet se ofensiva e dytë do të jetë shumë më masive.

Sipas dëshmitarëve, dëshmitë e të cilëve nuk mund të verifikohen nga pamundësia e mbërritjes në terren të korrespondentëve të huaj, snajpera të ushtrisë qëllojnë për vdekje në mënyrë rastësore ndaj çdo kalimtari në qytet.

Zavija është një qytet me vlera të mëdha strategjike, pasi ndodhi më pak se 50 kilometra në perëndim të kryeqytetit.

Ushtria libiane është e vendosur të rikthejë nën kontroll qytetin, pasi Gaddafi po përpiqet të krijojë një zonë sigurie në një perimetër të caktuar rreth Tripolit.

Qytet kryesore të lindjes janë të gjitha në duart e rebelëve, që sot arritën të pushtonin një qytet port të rëndësishëm në Mesdhe dhe të shtynin më në perëndim frontin e luftimeve.

Top Channel